Portieri më i kushtueshëm në botë? Sipas Transfermarkt është Oblak me 100 mln Euro

Jan Oblak ka marrë detyrën që të jetë një ndër liderët e Atletico Madrid për sezonin e ardhshëm. Portieri slloven që në fund të këtij sezoni fitoi trofeun ‘Zamorra’ për të katërtën herë, së fundmi ka rinovuar me ‘Los Colchoneros’ deri në vitin 2023 duke e rritur klauzolën e zgjidhjes së kontratës nga 100 në 120 milionë Euro, ndërkohë që është bërë edhe një nga kapitenët e Atleticos pas largimit të Diego Godin, Antuan Grizman dhe Huanfran. Por jo vetëm kaq, tashmë Jan Oblak është edhe portieri më i shtrenjtë në botë. Këtë e thotë portali Transfermarkt që cdo vit përditëson të dhënat në lidhje me vlerat në merkato të futbollistëve. Sipas këtij portali, vlera e kartonit të Oblak është rritur me 20 milionë Euro për të shkuar në 100 milionë.

Ndjekësit më i afërt i Oblak është pikërisht rivali i tij në këtë sezon në La Liga, Mark Andre Ter Shtegen me 90 milionë Euro, ndërkohë që podiumin e plotëson portieri i Mancester Junajtid, David De Gea me 70 milionë Euro.
Ndërsa, Atletiko e vendos Oblak në qendër të projektit të tij duke e bërë edhe kapiten, ky i fundit i ka disa dyshime për të ardhmen duke parë se madrilenët po humbasin pjesët një nga një me largimin e Godin, Huanfran dhe Grizmanit. Situata e tij tashmë duket se po ndiqet me vëmendje edhe nga Mancester Junajtid e Paris Sën Zhermen edhe pse Oblak kohë më parë kishte deklaruar ‘përsa kohë Atletiko dhe unë jemi në të njëjtën linjë përsa u përket ambicieve tona, do të qëndroj këtu’.

Jan Oblak u transferua te Atletiko në vitin 2014 për të zëvendësuar Tibo Kurtua, me skuadrën spanjolle që pagoi vetëm 16 milionë Euro Benfikës për kartonin e tij dhe tani vlera në merkato është rritur me shpejtësi marramendëse në 100 milionë dhe kjo shifër është mëse e justifikuar; pasi Oblak në 46 ndeshje të zhvilluara ka pësuar 38 gola me një mesatare më pak se 1 gol për ndeshje të pësuar. Sezonin 2018/2019 në La Liga e mbylli me 18 gola të pësuar në 38 ndeshje, duke barazuar një rekord historik të mbajtur nga Lianjo.

sfidanti.al