Pol Pogba, një milioner shkon për haxhillëk në Mekë!

Mund të kesh një shtëpi që kushton 2.9 milionë stërlina në Angli, mund të blesh një Mercedes 4×4 prej 120 000 stërlinash dhe t’ia shtosh “parkut” të makinave të tjera luksoze, mund të kesh një rrogë vjetore prej 15 milionë stërlinash, mund edhe të kesh një vlerë kartoni prej 100 milionë eurosh, dhe të shkosh në Mekë për t’u ndjerë pranë Zotit.

Pol Pogba është e vërtetë që është një mysliman praktikant, pra që ndjek rregullat dhe (besohet) shkon në xhami. Deri këtu në rregull. Poli, megjithatë, është nga ata që nuk u ngjajnë aspak qindra milionë myslimanëve në të gjithë botën, që jetojnë me një rrogë normale, me të cilën bëjnë llogaritë për të mbyllur muajin, që kanë ndonjë makinë që kushton dhe shpenzon pak, apo që mund të marrin një abone në linjat urbane.

Historia e feve na mëson për jetën e thjeshtë, ashtu siç thuhet se e bënin Muhamedi apo Jezu Krishti, për ndjenjën e modestisë, për të qenë sa më pranë njerëzve të thjeshtë. Pogba ndoshta ka ndjerë vërtet nevojën për të qenë pranë njerëzve të thjeshtë, por ai do të jetë për pak ditë në Mekë. Më pas, në kullën e florinjtë të jetës së tij të veçuar, ai nuk do të mundet kurrë të kuptojë sesi ndihet një njeri i thjeshtë, nga ata për të cilët flet feja myslimane, apo çdo lloj feje në botë.

Sfidanti.al