Sipas raportimeve nga Anglia, ka një optimizëm të madh për rinovimin e kontratës së Mohamed Salah me Liverpoolin. Pas eliminimit nga Champions League nga Paris Saint-Germain, humbjes në finalen e Carabao Cup kundër Newcastle dhe diferencës prej 12 pikësh nga Arsenali në Premier League, sezoni i Liverpoolit duket pothuajse i përfunduar. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë nisur të planifikojnë për sezonin e ardhshëm, duke u fokusuar në rinovimet e kontratave të disa prej lojtarëve më të rëndësishëm, ku më i spikaturi është Mohamed Salah.
Sulmuesi egjiptian po zhvillon ndoshta sezonin më të mirë të karrierës së tij, veçanërisht nga pikëpamja statistikore, me 30 gola dhe 22 asistime nën drejtimin e trajnerit Arne Slot. Megjithatë, kontrata e tij skadon në qershor dhe ka pasur shumë spekulime për të ardhmen e tij, me klubin saudit Al Hilal që shihet si një kandidat serioz nëse ai vendos të largohet nga Anfield. Megjithatë, sipas gazetarit të ‘The Athletic’, David Ornstein, situata është më pozitive nga sa pritej:
“Di vetëm që Liverpooli ka qenë prej kohësh optimist se do të arrijë një marrëveshje, sepse në fund të fundit, ata duan që Salah të qëndrojë dhe besojnë se edhe ai është i lumtur dhe dëshiron të njëjtën gjë.
Sigurisht, shifrat duhet të jenë të përshtatshme (për atë që mendohet të jetë një ofertë për një zgjatje dyvjeçare) dhe qartësisht nuk ka qenë e lehtë… por deri tani nuk ka pasur asnjë tregues që bisedimet janë ndalur apo nuk po ecin në një drejtim pozitiv. Arabia Saudite? Vetëm thashetheme dhe spekulime. Nuk mendoj se humbjet në finalet e Champions League dhe Carabao Cup do të ndikojnë në vendimin përfundimtar apo kohën e tij.”
sfidanti.al