“Nuk ka justifikime”, Ten Hag i zhgënjyer pas humbjes ndaj Dortmund

Tre humbje radhazi në fazën përgatitore, ndaj Ureksham, Real Madrid e Borusia Dortmund kanë tronditur jo pak, teknikun e Mançester Junajtid, Erik ten Hag, i cili është duke u munduar të rikthejë edhe një herë “djajtë” anglezë, në majat e futbollit evropian. Pas ndeshjes, gjatë një fjale të shkurtër për mediat, pas humbjes 3 me 2, ndaj “verdhezinjve” të Dortmund, tekniku Ten Hag u shpreh se paraqitja e ekipit të tij ishte e pafalshme, mirëpo jo vetëm kaq, pasi më tej në fjalët e tij, holandezi foli dhe performancën në fushën e blertë, të “gardianit” kamerunas, Andre Onana.

“Nuk ka justifikime për ne, na duhen performanca të mira dhe sigurisht rezultate. Nuk ka rëndësi se për çfarë luajmë, ne jemi Mançester Junajtid dhe tifozët presin paraqitje të mira nga ne. Ja thashë dhe ekipit, në përgjithësi ka qenë një turne pozitiv për ne. Por edhe mbyllja duhet të jetë e mirë. Duket sikur ndeshjet tona mbarojnë pas 60 minutash. Golat i pësuam për faj të shpërqendrimit në mbrojtje, mendoj se ekipi duhet të marrë më shumë përgjegjësi. Këta nuk jemi ne. Paraqitja ishte e dobët dhe kjo është e pafalshme! Edhe pse ishte vetëm një ndeshje miqësore. Onana u paraqit mirë, por gjithsesi i duhet akoma kohë. Mendoj se me aftësitë e tij për të luajtur me topin, ai do të ndikojë për mirë tek i gjithë ekipi”,- u shpreh tejet i zhgënjyer Ten Hag, pas humbjes së 3-të radhazi në turin parasezonal.

 

sfidanti.al