Një ndeshje të rinjsh transmetohet si të ishte e Ligës së Kampioneve?

Dinamo e Zagrebit, këtë sezon, nuk luan në Evropë, por, të dielën e kaluar, në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit e kompleksin sportiv rreth tij u panë të mbërrinin maune të mëdha dhe makina të tjera mbështetëse me targa hungareze, të mbushura plot me aparatura dhe pajisje të ndryshme televizive dhe më shumë se 20 njerëz që dukej qartë se kishin ardhur që të transmetonin ndonjë ndeshje. Por, cilën ndeshje se përfaqësuesja ose ndonjë ekip kroat tjetër nuk kishte, atë ditë, ndeshje në “Maksimir”, për më tepër që kaq shumë aparatura dhe pajisje televizive vinin në kompleksin e këtij stadiumi zagrebas vetëm në rastin e Ligës së Kampioneve!

Por, në “Maksimir” nuk kishte ndeshje as të Ligës së Kampionëve dhe as të Ligës së Evropës, ndërkohë që përfaqësuesja luante jashtë. Ndeshje, në fakt, kishte në disa fusha të tjera të “Maksimirit”, ku luanin ekipet e të rinjve dhe në një nga ato luante edhe ekipi i të rinjve (U-19) të Katarit. Doli se një sheik nga Katari kishte angazhuar një studio televizive hungareze që atij t’i transmetonin direkt ndeshjen në fjalë të të rinjve. Kur dikush nga zyrtarët e Dinamos pyeti, nëse mund që ta transmetonin  edhe ata ndeshjen në fjalë, hungarezët u përgjigjen negativisht: “Na vjen keq, ky transmetin është vetëm për një njeri, për një sheik në pallatin e tij në Katar!”. Ndeshja në fjalë përfundoi 2-2. Sheiku, tifoz i madh i ekipit përfaqësues të të rinjve të Katarit, po kështu kishte vepruar edhe në rastin e ndeshjes së fundit të të rinjve kataras në Lubljanë.

Sfidanti.al