Nejmar shlodhet me të birin para çerekfinales ndaj Belgjikës!

Nuk ka vetëm stërvitje serioze, por edhe momente shlodhjeje në përgatitjen e Brazilit për Belgjikën. Ishte Nejmar që mendoi të krijonte një gjendje ndryshe në seancën përpara ndeshjes çerekfinale të Botërorit, duke sjellë djalin në fushë. Djali i quajtur David Luka da Silva Santos, një emër që besohet se as babai nuk ia mban mend të plotë, u fut në terren në mes të stërvitjes së kombëtares braziliane.

Nejmar mori disa herë leje për t’u shkëputur nga ushtrimet taktike apo teknike të trajnerit Tite, në mënyrë që të merrej me të birin. Futbollisti kryesor i Brazilit i tregoi Davidit disa nga veprimet e tij, për t’i dhënë të kuptonte sesi stërvitet një kampion i madh. Edhe djali i vogël, që shpejt mbush 7 vjeç, nuk ngurroi të përpiqej që të realizonte gjuajtje të mira me këmbë apo me kokë.

Trajneri nuk e pengoi thuajse asnjëherë Nejmarin që të merrej me të birin, ndërsa Tite kujdeset që atmosfera në skuadër të jetë gjithnjë e mirë në aspektin psikologjik. Kjo cilësohet si një nga vlerat më të rëndësishme të trajnerit, pra që është tepër i qetë dhe i ekuilibruar, duke bërë që edhe futbollistët e tij të mos jenë të stresuar dhe të mendojnë vetëm për të dhënë maksimumin në fushë.

Sfidanti.al