Pavarësisht disa kritikave së fundmi, gjithkush e di se çfarë është në gjendje të bëjë. Armando Broja vazhdon ta shtojë listën e admiruesve dhe mediat britanike njoftojnë se edhe Uest Hemi është futur në garë për të siguruar shërbimet e tij. Sipas “Sports Ilustrejtid”, “Deili Meilit” dhe “Skaj Sportsit”, trajneri i skuadrës londineze, Dejvid Mojes, kërkon Brojën për të forcuar fazën sulmuese. Uest Hemi nuk ia doli të kualifikohej për në Champions, ndërsa u eliminua nga Frankfurti gjerman në gjysmëfinalen e Ligës së Europës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare vlerësohet si përforcim i rëndësishëm për të rritur numrin e golave të shënuar, për të shtuar potencialin dhe alternativat ofensive.
Mediat angleze vlerësojnë se 20-vjeçari pati rol të rëndësishëm tek Sauthemptoni me 9 gola këtë sezon, duke e ndihmuar që të shmangte rënien nga kategoria. Kartoni i Brojës mbetet në pronësi të Çelsit, dhe klubi londinez nuk ka dhënë asnjë sinjal deri tani, duke pritur përfundimin e procesit të shitjes së aksioneve nga Roman Abramoviçi tek miliarderi amerikan Tod Boehli. Për kartonin e tij mund të duhen të paktën 40 milionë euro, gjithnjë nëse Çelsi vendos të mos e mbajë dhe konkurrenca pritet e ashpër gjatë verës, pasi për 20-vjeçarin interesohen edhe shumë klube të tjerë. Nëse shkon tek Uest Hemi, Broja do të luante në Ligën e Konferencës sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al