Ndryshon situata e disa lojtarëve të United pas largimit të Amorim

Ndryshimi në pankinë ka gjithmonë ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e merkatos së një klubi, veçanërisht në Premier League, ku trajneri ka rol menaxherial dhe ndikon në strategjinë sportive. Për këtë arsye, shkarkimi i Ruben Amorim nga Manchester United pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në të ardhmen e disa lojtarëve të skuadrës. Një nga emrat më të diskutuar është Joshua Zirkzee. Sulmuesi holandez nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, por gëzonte besimin e Amorim. Ende mbetet e paqartë nëse trajneri i ri do ta konsiderojë pjesë të projektit apo nëse statusi i tij në skuadër do të ndryshojë.

Situata ka ndryshuar edhe për Kobbie Mainoo. Mesfushori i ri ishte lënë jashtë planeve të Amorim dhe shihej si kandidat serioz për huazim, me Napolin që kishte nisur të monitoronte nga afër zhvillimet. Me ardhjen e trajnerit të ri, Mainoo dëshiron të provojë shanset e tij për të fituar hapësira në formacion dhe mund të qëndrojë në “Old Trafford”.

Nga ana tjetër, Bruno Fernandes ishte shumë i lidhur me Amorim dhe u shpreh i zhgënjyer për largimin e tij. Në një intervistë, portugezi ka pranuar se kishte ndjesinë se klubi po mendonte ta shiste, por nuk donte të shkonte kundër dëshirës së trajnerit të tij bashkatdhetar. Në pikëpyetje mbetet edhe e ardhmja e Marcus Rashford, i cili aktualisht është i huazuar te Barcelona. Klubi katalanas nuk duket i prirur ta blejë përfundimisht në fund të sezonit, çka mund ta rikthejë sulmuesin anglez në Manchester, në një realitet të ri, pa praninë e Amorim.