Ndërhyrja e frikshme ndaj Blanco-s, ja sa ndeshje pezullim rrezikon Mbappe

Kylian Mbappé u përjashtua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Alavés pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj mesfushorit Antonio Blanco. Sulmuesi francez goditi me takat e këpucës këmbën e ish-lojtarit të akademisë së Realit, në një aksion ku topi ishte në lojë, por që u konsiderua si ndërhyrje e rrezikshme. Fillimisht gjyqtari Soto Grado akordoi vetëm karton të verdhë, por pas konsultimit me VAR-in, vendimi u ndryshua dhe Mbappé u ndëshkua me të kuq. Ai e pranoi qetësisht vendimin dhe u largua nga fusha pa kundërshtuar. Frustrimi i Mbappésë erdhi pas një faulli të pashënuar më herët ndaj tij nga Abqar në mesfushë, çka mund ta ketë nxitur të reagojë me më shumë forcë se sa duhej në një duel pa shumë rrezik. Nëse rasti do të klasifikohet si “lojë e dhunshme” nga gjyqtari në raportin zyrtar, sulmuesi rrezikon një pezullim nga një deri në tri ndeshje, por mund të jetë i disponueshëm për finalen e Kupës. Fatmirësisht, Blanco nuk pësoi ndonjë dëmtim, dhe fakti që topi ishte në lojë mund të konsiderohet si rrethanë lehtësuese për dënimin e Mbappé-së. Kjo ishte hera e katërt në karrierë që francezi ndëshkohet me karton të kuq – e fundit në vitin 2019 në finalen e Kupës së Francës ndaj Rennes. Ngjarja në ‘Mendizorroza’ reflekton një sezon të çuditshëm për Mbappénë dhe Real Madridin, në një periudhë ku tensionet brenda skuadrës duket se janë të larta. Sulmuesi nuk ishte ndëshkuar me të kuq për gjashtë vite me radhë, deri sot.

sfidanti.al