Myrto Uzuni nuk mrekullon vetëm në fushë, roveshatën nuk e ndan as në stërvitje!

Nuk pati protagonizëm në sfidën e fundit në kontinent, por jo se nuk ra në sy. Myrto Uzuni vërtet hyri si zëvendësues në ndeshjen që Ferencvaroshi luajti në Ligën e Europës në Gjermani ndaj Leverkusenit, por kjo nuk e pengoi të tregonte klasin. Sulmuesi i kombëtares shqiptare i mrekulloi të gjithë ndërsa realizoi me roveshatë gjatë ekzekutimit të një ushtrimi gjatë seancës stërvitore. Pasi e përfundoi me sukses veprimin akrobatik, beratasi 26-vjeçar u përqafua dhe u përgëzua nga shokët e ekipit.

Jo më kot vlerësohet si futbollisti më i mirë i Ferencvaroshit që kur mbërriti aty nga Kroacia. Skuadra hungareze ka ambicie në Ligën e Europës, ndërsa vetëm për pak nuk ia doli të kualifikohej për në fazën e grupeve në Champions. Uzuni dha një kontribut të madh me 4 gola dhe 4 asistë në 8 ndeshje në tri raundet eleminatore dhe në plej of, duke qenë në mënyrë të padiskutueshme më i miri.

Në Superligën e Hungarisë, shqiptari e ka nisur pak ngadalë duke shënuar vetëm 1 gol. Ferencvaroshi është kampion në fuqi dhe pretendon ta mbrojë titullin edhe këtë sezon. Skuadra e Uzunit ka 9 pikë pas 4 ndeshjeve, me 3 fitore e një humbje, pra i ka të gjitha mundësitë të kapë vendin e parë që e mban Kishvarda me 15 pikë, por pasi ka luajtur 6 ndeshje.

Sfidanti.al