Mourinho i kënaqur me Realin: Po bëjmë hapat e duhur

Jose Mourinho ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e Real Madridit pas fitores 3-0 ndaj Schalkes në ndeshjen e fundit përgatitore. “Los Blancos” e mbyllën para-sezonin pa humbje, duke regjistruar tri fitore në tri ndeshjet e fundit. Në sfidën ndaj Schalkes, golat u shënuan nga Kylian Mbappe, Dean Huijsen dhe Carlos Espi.

Pas ndeshjes, Mourinho vlerësoi rritjen e skuadrës si në aspektin kolektiv, ashtu edhe atë individual. Trajneri portugez theksoi se disa lojtarë janë bashkuar më vonë dhe kanë nevojë për kohë për të arritur ritmin e të tjerëve. Sipas tij, lojtarët që kanë qenë që nga dita e parë kanë zhvilluar 30 seanca stërvitore dhe gjashtë ndeshje. Megjithatë, Mourinho beson se skuadra po përmirësohet ndjeshëm në aspektin taktik. Ai vlerësoi cilësinë e madhe të lojtarëve dhe punën e ekipit si me topin, ashtu edhe pa të.

Për trajnerin, ndeshja ndaj Schalkes ishte prova e fundit përpara fillimit të sezonit zyrtar. “Puna e vërtetë është të garosh, të luftosh për pikë. Kjo është ajo që duam”, deklaroi Mourinho. Ai shmangu vlerësimet individuale, duke insistuar se objektivi kryesor është ndërtimi i një ekipi të fortë. “Duhet të krijojmë një ekip shumë, shumë të mirë dhe po bëjmë hapat e duhur për ta arritur këtë”, përfundoi ai. Real Madridi do ta nisë sezonin në fundjavë, në transfertën ndaj Espanyolit.