Është quajtur si kapiteni i duhur, si njeriu më i përshtatshëm për t’i lënë shiritin dhe si lideri i kësaj skuadre, por ai nuk dëshiron të bëjë krahasime. Madje, as nuk i pranon ato. Xhordan Henderson, i lavdëruar pa masë nga Stiven Xherrardi, thotë se askush nuk mund të krahasohet me ish-kapitenin e Liverpulit, që pati një karrierë të madhe në “Anfild”, ndonëse nuk arriti ta fitonte dot titullin. “Ka pasur nga ata që më kanë kritikuar si kapiten, apo edhe si njeri, – tha Hendersoni, – unë, gjithsesi, kam thënë gjithnjë se askush nuk mund ta zëvendësojë Stiven Xherrardin, për atë që ka bërë në këtë klub. Pak rëndësi ka se kush është kapiten kur skuadra fiton. Kurrë nuk e kam krahasuar veten me të, por kam dashur të jap maksimumin dhe këtë do të bëj gjithnjë”. Henderson thotë se dështimi në 2014 për të fituar titullin, me Xherrardin, Karragerin dhe Luis Suarezin, mbetet një zhgënjim i madh, pasi ai ishte rasti i fundit i ish-kapitenit për t’u shpallur kampion i Anglisëe. Liverpuli po e fiton titullin edhe për Xherrardin.
Sfidanti.al