Rezultatet e Milanit në këtë fund sezoni kanë ndryshuar, por duket shumë vonë. Pavarësisht se Conceicao ka ndryshuar ekipin pozitivisht, fati i tij duket i vendosur. Fundi i sezonit pritet të shënojë edhe fundin e aventurës së tij në pankinën kuqezi. Objektivi i menjëhershëm i klubit dhe skuadrës është përqendruar tek finalja e Kupës së Italisë, megjithatë, fundi i muajit prill ka sjellë edhe një vlerësim të parë konkret për ndyshimet taktike të ndërmarra nga trajneri. Në katër ndeshjet e fundit, me kalimin në sistemin 3-4-3, Milani ka arritur të mbajë portën të paprekur në tre raste, duke zgjidhur kështu një nga problemet më të theksuara të sezonit: mungesën e ekuilibrit dhe dobësinë në fazën mbrojtëse. Megjithëse paraqitjet në fushë kanë qenë me ritme të ndryshme, statistikat tregojnë një përmirësim të dukshëm në aspektin e stabilitetit të skuadrës. Është ende herët për të folur për një kthesë të plotë, por rruga që do të ndjekin trajneri dhe skuadra në këtë fundsezoni duket tashmë e përcaktuar. Ndryshimet taktike kanë ndikuar pozitivisht te disa individë që gjatë pjesës më të madhe të sezonit kishin treguar luhatje në performancë.
Theo Hernandez ka përfituar ndjeshëm nga ky sistem, duke rikuperuar fizikun dhe agresivitetin e zakonshëm, i ndihmuar edhe nga fakti që ka mbështetje më të madhe prapa tij, çka i lejon më shumë liri në fazën sulmuese.
Po ashtu, edhe Fofana, ndonëse ka gabuar në ndërtimin e aksioneve, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fazën mbrojtëse dhe në ndërprerjen e aksioneve kundërshtare, duke qenë vendimtar në ndeshjen kundër Venezias, ku realizoi një asist. Në të njëjtën linjë është edhe Christian Pulisiç, i cili ka arritur të gjejë hapësirat dhe efektivitetin e munguar, duke konfirmuar rolin e tij si një element i besueshëm në skuadër, pavarësisht ndryshimeve në drejtimin teknik gjatë dy viteve të fundit. Përkundër këtyre përmirësimeve, mbeten të mëdha keqardhjet për një sezon të dështuar në shumë aspekte. Performanca e mirë në këtë fazë të fundit nuk mjafton për të kompensuar mundësitë e humbura, por të paktën tregon se baza për të ardhmen mund të jetë më e qëndrueshme, nëse klubi do të marrë vendimet e duhura gjatë verës.
sfidanti.al