Napoli ka arritur një marrëveshje verbale me klubin saudit Al Hilal për shitjen e sulmuesit nigerian Victor Osimhen, ndërsa lojtari ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Sipas raportimeve nga media turke “Fanatik”, Osimhen është objektiv primar për Al Hilal, e cila është e gatshme të ofrojë një kontratë me kushte financiare shumë të favorshme për ta bindur të transferohet në Arabinë Saudite. Napoli zotëron kartonin e sulmusit, ndërsa ai aktualisht luan për Galatasaray në Turqi, ku po zhvillon një sezon të suksesshëm. Deri në këtë pikë të kampionatit, nigeriani ka realizuar 31 gola dhe ka dhënë 8 asistime, duke ndihmuar ndjeshëm skuadrën e tij në garën për titullin kampion në Super Lig. Thuhet se ndërmjet Napolit dhe klubit saudit është arritur një marrëveshje paraprake për kushtet e transferimit, por kalimi i lojtarit nuk është ende i sigurt, pasi vendimi përfundimtar i takon vetë Osimhenit. Sulmuesi 26-vjeçar është shprehur në të kaluarën se dëshiron të vazhdojë karrierën në Evropë, ku mund të konkurrojë në nivele të larta si Liga e Kampionëve dhe kampionatet kryesore të kontinentit.
sfidanti.al