Milani del në krye të Itali, por Pioli thotë: Interi mbetet favorit!

Ndoshta e ka seriozisht sepse e mendon ashtu, por më shumë duket se po bën taktikë. Milani kërceu në krye të Serisë A duke treguar sesa ndryshime mund të sjellë një kalendar i ndikuar nga Kovidi e duke përfituar nga ndalesa padashur e Interit. Suksesi 3-0 në fushën e Venecias ishte një nga ato fitore që tregojnë një ekip që ka potencial dhe mentalitet për gjëra të mëdha, një ndryshim shumë i madh me javët e fundit të vitit 2021. Ibrahimoviç shënoi që në 2’, Teo Hernandez shtoi të dytin në 48’ dhe sërish francezi me penallti shënoi për 3-0 në 59’. Interesant, që Ibra nuk mori përsipër penalltinë ndonëse ishte në fushë. “Ishte një nga ato ndeshje që ishin të vështira dhe ne i bëmë të lehta, – tha trajneri Pioli, – jemi rikthyer konkurrues dhe ky duhet të jetë viti i konfirmimit. Nuk fshihemi, na mungon vetëm një hap për të qenë aty ku duhet. Jam dakord me Alegrin që Interi është favorit për titullin, ndërsa ka ekipe të tjerë që pretendojnë si Milani apo Juventusi”. Pioli arriti 400 ndeshje në Serinë A dhe e festoi siç duhet.

Sfidanti.al