Milan, je tepër i njomë pa Higuainin në fushë

Me tre barazime radhazi, Milani po mbetet gjithnjë e më prapa vendeve të para në Serinë A. Xhenaro Gatuzo, trajneri luftarak, duket se i ka ditët të numëruara, edhe pse ai thotë se skuadra e tij nuk po ka fat. Në barazimin 1-1 në fushën e Empolit, u kuptua se Milani së pari nuk ka përvojë, dhe pastaj fat. Mungesa e sulmuesit kryesor, Gonzalo Higuain, po ndihet pasi të tjerët po humbasin raste, ndoshta për shkak të moshës më të re.

“Nuk mund të qortoj djemtë, – u shpreh Gatuzo, – bënë gjithçka dhe portieri i tyre bëri 5 mrekulli. Gabimet mund të ndodhin, por për fat të keq po i paguajmë shtrenjtë”. Më tej, Rino thekson një problem. “Kur luan mirë dhe nuk fiton, krijohet një situatë e vështirë, dhe djemtë kanë humbur qetësinë pikërisht për këtë shkak”, – u shpreh ai. Tashmë, pritet ndonjë fjalë e mirë nga mjekët për të parë nëse Higuain do të jetë të dielën në ndeshjen në fushën e Sasuolos.

Sfidanti.al