Milani i këtij fillim sezoni duket se po i bind të gjithë. Në skemën e trajnerit Pioli ai që po shkëlqen më shumë është Hakan Calhanoglu teksa është konstant në lojën e tij dhe me një rendiment shumë të mirë. Është e logjikshme të mendosh se Maldini dhe Massara janë shumë të interesuar për rinovimin e kontratës së futbollistit turk e cila skadon në 30 qershor të 2021.
Gordon Stiupic , agjenti i Calhanoglu kërkon një rritje të pagës për klientin e tij që aktualisht është 2.5 milionë Euro në sezon, por nga Milani nuk kanë ardhur sinjale inkurajuese në lidhje me këtë cështje. Në një situatë të tillë ku palët janë ende larg një marrëveshjeje, Atletico Madrid edhe Juventus rrinë në pritje, por gati për të vepruar nëse nuk do të gjendet një marrëveshje mes Milanit dhe futbollistit.
Është kjo një situatë nga e cila Milani rrezikon shumë pasi mund të shohë Calhanoglu që të largohet me parametra zero në fund të këtij sezoni. Klubi kuqezi nuk dëshiron aspak të privohet nga një futbollist që ka arritur maturinë agonistike, një lider teknik që në shumë raste ka deklaruar se e sheh të ardhmen e tij të Milani. Në 2 javët e ardhshme priten zhvillime domëthënëse, me agjentin e Calhanoglu që mund të udhëtojë drejt Milanos për një përballje direkte me drejtuesit e klubit
sfidanti.al