Mask dhe Man. Junajtidi? Miliarderi nuk mund të bëjë shaka dhe i ka paratë!

Më i rëndësishëm ishte mesazhi në Tuiter se “jam duke blerë klubin tim të zemrës në fëmijëri”, sesa postimi tjetër përgënjeshtrues se “jam duke bërë shaka”. Ilon Mask (Elon Musk) e di mirë se nuk mund të tallet me ndjenjat e mbi 300 milionë tifozëve të Mançester Junajtidit në të gjithë botën, edhe pse një miliarder i tillë thjesht mund të mos e kuptojë sesa shumë mund të preken njerëzit e thjeshtë nga kjo gjë. Do ta blejë apo jo Masku, Mançester Junajtidin? Pikëpyetjet mbeten, por në mesazhin e tij të dytë, amerikani shtoi se “nëse do të marr ndonjë klub futbolli, nuk mund të jetë tjetër përveçse Junajtidi, ekipi i zemrës kur isha fëmijë”. Nga ana tjetër, dihet mirë se pronarët e sotëm në “Old Traford” janë në luftë me tifozët, se me gjasë e kanë menduar largimin, dhe se 5 miliardë eurot që kërkojnë nuk janë kaq shumë për Maskun.

Sfidanti.al