Mashtrimi i pabesueshëm që pësoi Barcelona

Kur qarkullojnë para, shumë para, gjithmonë ekziston mundësia për të rënë pre e ndonjë përpjekjeje për mashtrim. Bota e futbollit nuk bën përjashtim, me shumë individë që përpiqen të pasurohen me metoda aspak të ligjshme. Një përpjekje për mashtrim që Barcelona pësoi (dhe pothuajse pati sukses) dy vite më parë është një shembull elokuent në këtë drejtim. Për të rrëfyer ngjarjen e pabesueshme ka qenë programi “Què t’hi jugues”, për të cilin Marca raportoi një hetim të gjatë, me protagonist, për fat të keq, sulmuesin Robert Lewandowski. Marca, duke cituar programin spanjoll, shkruan: “Barcelona transferoi një milion euro si komision për marrjen e polakut Robert Lewandowski në verën e vitit 2022, tek një mashtrues që u shtir si Pini Zahavi, menaxheri i sulmuesit polak. Programi ka kryer një hetim në bashkëpunim me Paper Trail Media (Gjermani) dhe specialistin ndërkombëtar të medias investigative, Organized Crime and Corruption Reporting Project”.

“Më 29 korrik, disa drejtorë dhe zyrtarë të klubit morën një e-mail nga një adresë që mbante emrin e Pini Zahavi, në të cilën kërkohej të paguanin një milion euro, pjesë e komisionit për firmosjen e lojtarit. U kërkua që kjo shumë të depozitohej në një llogari bankare në Bankën e Qipros, në një llogari që nuk i përkiste menaxherit: mbante emrin Michael Gerardus Hermanus Demon, i përmendur si një avokat”. Duke qenë të bindur se nuk bëhej fjalë për asgjë të paligjshme, por që emaili ishte plotësisht autentik, Barcelona bëri depozitimin e shumës së kërkuar:

“Departamenti i Përputhshmërisë i institucionit financiar bllokoi transferimin, pasi e konsideroi ‘me rrezik të lartë’, sepse nuk kishte lëvizje të mëparshme në atë llogari dhe nuk ishte e mundur të akreditohej ndonjë dokument i vlefshëm që justifikonte pagesën”.

Bllokimi i transferimit ishte shpëtimi për klubin blaugrana, edhe pse mashtruesi nuk u dorëzua dhe kaloi në kërcënime:

“Personi që shtirej si Zahavi dërgonte e-maile duke kërcënuar se do ta denonconte Barcelonën tek UEFA dhe do të bllokonte regjistrimin e Robert Lewandowski nëse nuk i paguhej një milion euro. Përveç kësaj, ai i shkroi edhe drejtorëve të Bankës së Qipros për të ushtruar presion që të miratonin transferimin. Institucioni financiar nuk pranoi presionet dhe llogaria u mbyll në tetor të vitit 2022”.

Programi spanjoll ka marrë konfirmimin e ngjarjes së pabesueshme drejtpërdrejt nga klubi: “Barcelona pranon se ka qenë viktimë e një përpjekjeje për mashtrim, por thotë se paratë janë rikuperuar. Gjithashtu, Barça pranon se ka marrë në vitin 2023 edhe dy e-maile të tjera, me kërkesën për 250,000 euro secila”. Situata financiare e Barcelonës nuk është aspak e mirë, dhe është paradoksale sa me lehtësi klubi katalanas ka dërguar një milion euro pa kryer më parë kontrolle specifike.

sfidanti.al