“Marrja me qira” katër orë e Ronaldos ka kushtuar mëse 1 milion euro!

Një kompani nga Arabia Saudite ka paguar 1,09 milion euro (1,2 milion dollarë) për një “marrje me qira”, prej pak më shumë se 4 (katër) orësh, të sulmuesit të Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo, për qëllime reklamash, njoftoi gazeta angleze, “The Mirror”, duke iu referuar librit “Biznesi i fëlliqur i futbollit”. Kjo ka ndodhur, në fakt, më 2013, dhe paratë e siguruara nga kontrata përkatëse kanë kaluar në llogari të përfaqësuesve të futbollistit të njohur portugez.

Si shkëmbim, ata që e morën me “qira”, siguruan pak më shumë se katër orë në shoqërinë e Ronaldos, nja katër a pesë bluza me firmën e tij autentike, dy përmendje në profilet e tij në rrjetet sociale, mundësinë e fotografimit me të dhe të drejtën e përdorimit të imazhit të Kristiano Ronaldos për nevoja reklamash në disa vende të Lindjes së Mesme, por vetëm gjatë një dite!

Autorët e librit të lartpërmendur janë gazetarët e revistës gjermane “Shpigel”, Mihael Vulzinger dhe Rafael Bushman. Është po kjo revistë gjermane që, prillin e kaluar, publikoi rezultatet e një hetimi, në kuadrin e të cilit Ronaldo u akuzua se kishte përdhunuar, më 2009, në Las Vegas, një vajzë amerikane 20-vjeçare dhe se i kishte dhënë asaj 260 000 euro që ajo të heshtte.

Sfidanti.al