Mario Kempes: Nuk e di nëse Barcelona do ta presë Mesin me krahë hapur!

Ka qenë kampion i botës, ka bërë shumë gjëra në futboll, dhe mes tyre edhe detyrën si trajner i Lushnjes në kampionatin shqiptar për pak muaj në 1996-1997. Mario Kempes ka status legjende në Argjentinë, bashkë me plejadën që fitoi Kupën e FIFA-s në 1978, apo ashtu si ata të vitit 1986 me në krye Diego Armando Maradonën. Ish-sulmuesi i madh është pyetur lidhur me një kthim të mundshëm të Lionel Mesit tek Barcelona, ndërsa në PSG nuk po i ecën shumë mbarë.

“Nuk e di nëse në Barcelonë do ta presin Mesin me krahë hapur, – tha “El Matadori”, – sepse iku në një mënyrë që askush nuk e priste, dhe mund të kthehet në një mënyrë që gjithashtu nuk pritej. Më duket e vështirë. Shoh fytyrën e Mesit dhe shoh që ka shqetësim, nuk më duket se do t’i shkojë mirë në Paris. Gjithsesi, mua nuk më intereson ajo që i ndodh tek PSG-ja, tek Barcelona apo tek Reali, më intereson që të jetë 200% i angazhuar me Argjentinën”.

Sfidanti.al