Futbollisti legjendar argjentinas, Diego Armando Maradona, deklaroi se futbollistët kolumbianë ishin viktima të një “grabitjeje monumentale” në ndeshjen me Anglinë, ndërsa akuzoi gjyqtarin amerikan, Mark Grajger, se ai favorizoi ekipin e Garet Sauthgejtit. Kolumbia, në fakt, u eliminua mbas ruletës së penalltive që e fitoi Anglia (4-3).
Maradona që ka shënuar me dorë gol në ndeshjen kundër Anglisë në Botërorin e vitit 1986, vuri në dukje se arbitri amerikan duhet të kishte dhënë një kundërfaull dhe jo faull kundër Hari Kejnin në rastin e penalltisë pro anglezëve.
“Unë pashë një grabitje monumentale në fushë, një gabim fatal, të cilin e pësoi mbi kurriz një vend i tërë! Ky zotëri ishte ai që vendosi në fushë dhe emrin e të cilit po ta kishin kërkuar në Google, nuk do të kishit lejuar që ai ta arbitronte atë ndeshje të rëndësishme. Gajgeri është amerikan, çfarë rastësie!”, vuri në dukje Maradona që kritikoi edhe kryegjyqtarin e FIFA-s, Pier Luixhi Kolina, se bën caktime të tilla.
Sfidanti.al