Manchester City, një sezon për t’u harruar

Humbja në finalen e FA Cup kundër Crystal Palace përfaqëson ndoshta pamjen më të saktë të një sezoni zhgënjyes për Pep Guardiolën dhe Manchester City-n. Pas viteve të dominimit në futbollin anglez, pas ‘tripletës’ madhështore para dy vitesh dhe trofeve të shumtë sezonin e kaluar (Premier League, Superkupa Evropiane dhe Kupa e Botës për Klube), sezoni 2024/25 ka nisur keq dhe rrezikon të përfundojë edhe më keq.

Që nga gushti, City nuk ka qenë asnjëherë realisht në garë për titullin kampion. E vetmja kupë e fituar ka qenë Community Shield, ndërsa finalja e sotme, e humbur ndaj një skuadre në letër më të dobët, shënon një tjetër hap prapa. Tashmë, me vetëm dy ndeshje të mbetura në kampionat, City duhet të fitojë me çdo kusht për të tentuar vendin e pestë. Aktualisht është i gjashti, dhe as kjo mision nuk është i lehtë. Megjithatë, ky nuk është një sezon që do të tronditë besimin që klubi ka ndaj Guardiolës. Përkundrazi. Në vjeshtën e kaluar, kur skuadra po lëkundej, klubi i rinovoi kontratën deri më 30 qershor 2027. Nëse ky do të jetë rinovimi i fundit, do të varet vetëm nga vullneti i trajnerit katalanas, i cili mund të vendosë të largohet me dëshirën e tij.

Por ky sezon është dëshmi se edhe më të mirët gabojnë. Gjithçka nisi me largimin e Gündoğan dhe afrimin e Savinhos, ndërsa në janar u shpenzuan mbi 200 milionë euro për emra si Omar Marmoush, Nico Gonzalez, Abdukodir Khusanov dhe Vitor Reis – investime që deri tani nuk kanë dhënë frytet e pritura.

Për më tepër, rikthimi i Gündoğan nuk solli ndikimin e dëshiruar, ndërsa së shpejti, Kevin De Bruyne – lojtari më i rëndësishëm i dekadës së fundit te City – do të largohet si lojtar i lirë. Për ta zëvendësuar, klubi ka vënë në shënjestër emra si Tijjani Reijnders dhe Florian Wirtz, me një tjetër buxhet prej të paktën 200 milionë eurosh për merkaton e verës.

Por para se të mendojnë për të ardhmen, City duhet të mbyllë sezonin në “Top-5”. Sfida ndaj Bournemouth-it dhe Fulham-it janë vendimtare, jo vetëm për prestigjin, por edhe për të siguruar pjesëmarrjen në Champions League. Pa të, gjithçka do të bëhej më e ndërlikuar: qoftë për tërheqjen e lojtarëve të mëdhenj, qoftë për mbajtjen e projektit fitues gjallë. Një sezon për t’u reflektuar, për t’u analizuar në detaje dhe për të nisur sërish, ndoshta për herë të fundit me Guardiolën në stol.


sfidanti.al