Mesfusha e “djajve të kuq” duket si ndonjë fushë e bombarduar, ku nuk ka mbetur thuajse asgjë. Natyrisht, ekziston Bruno Fernandes që është një lojtar shumë i mirë, por për një ekip si Mançester Junajtidi kërkesat janë shumë më të mëdha. Mata e Matiç largohen, Mektominai është luftarak, por jo regjisor, ndërsa nuk dihet se çfarë do të bëhet me Fredin. Trajneri Erik Ten Hag ka menduar për të operacion të dyfishtë, për të marrë edhe mesfushorin e Barcelonës, Frenki De Jong, edhe lojtarin ofensiv (tipik numër 10) të Brentfordit dhe Danimarkës, Kristian Eriksen. Danezi, që rrezikoi jetën në Euro 2020 qershorin e kaluar e njeh mirë Premier Ligën, jo vetëm për shkak të Brentfordit, por edhe sepse ka luajtur me Totenhemin. Kostoja do të jetë e lartë, por gjithsesi e pranueshme, sepse më shumë do të kushtojë De Jongu, ndërsa përfitimi pritet të jetë i madh.
Sfidanti.al