Man. United, kriza kalon me…miqësore

Manchester United po përballet me një krizë financiare, e cila është thelluar edhe më shumë pas mungesës në garat evropiane këtë sezon. Sipas The Sun, drejtuesit e klubit janë duke shqyrtuar mënyra të reja për të gjeneruar të ardhura dhe për të ulur borxhet ekzistuese.

Një nga idetë më të fundit është organizimi i ndeshjeve miqësore gjatë javës, jashtë Anglisë, me qëllim rritjen e të ardhurave nga biletat, transmetimet dhe sponsorët. Ekipi i trajnerit Amorim, që këtë sezon do të luajë vetëm në Premier League dhe FA Cup, synon të përfitojë nga boshllëku në kalendar.

Sipas raportimit, ndër kundërshtarët e mundshëm për këto miqësore janë klubet e tjera evropiane që nuk marrin pjesë në garat ndërkombëtare këtë vit, si Milani, Lipsia, Sevilja dhe Lazio e Sarrit.