“Mama mia, çfarë skuadre”, por Spanja U21 s’ka lojtarë nga Barça

Spanja U21 u tregua edhe një herë e frikshme, duke shkatërruar 4-1 Francën e duke u kualifikua për në finalen e Europianit të moshës. Në kërkim të titullit të 5-të kontinental, një barazim rekordi i Italisë, “la Rohita” i bëri mediat spanjolle që të thërrisnin një batutë italianiste (meqë Europiani luhet në Itali): “Mama mia, çfarë brezi”.

Mark Roka, Mikel Ojarzabal, Dani Olmo dhe Borha Majoral ishin autorët e golave që përmbysën avantazhin e hershëm francez, dhe treguan se kombëtarja e vogël spanjolle është në rrugën e duhur, dhe se kombëtarja e madhe do të marrë shpejt yjet e rinj që i duhen.

Gjithsesi, në këtë Spanjë U21 bie në sy mungesa e lojtarëve nga Barcelona, diçka e habitshme nëse mendon famën e madhe të akademisë La Masia. Kjo “krizë katalanase” ndihet edhe tek kombëtarja e të rriturve, ku edhe një trajner si Luis Enrike nuk gjente arsye për të grumbulluar lojtarë nga “Kamp Nou”.

Tashmë, Spanja U21 do të luajë finalen me Gjermaninë dhe do të kërkojë revanshin për disfatën e pësuar në finalen e Euro 2017, kur sërish mendohej favorite. “La Rohita” ka një ecuri të shkëlqyer nga 2017 deri më sot, me 22 fitore, 1 barazim e 3 humbje. Humbjet e vetme, me Gjermaninë në 2017, në finalen e Europianit, me Irlandën e Veriut në eleminatore, dhe me Italinë në grup, në Europianin e tanishëm.

Sfidanti.al