Loew justifikohet për humbjen 6-0 ndaj Spanjës: Futbollistët më thanë se është zonë rreziku, nuk donin të shkonin

Humbja 6-0 ndaj Spanjës në muajin nëntor të 2020 në Nations League djeg ende në Gjermani dhe flitet vazhdimisht për të pasi është humbja më e thellë që ‘Die Mannschaft’ ka pësuar në një ndeshje zyrtare. Trajneri Joachim Loew, megjithatë arriti të mbajë postin e tij. Tani në një intervistë për ‘Kicker’, tekniku i skuadrës 4 herë kampione të botës shpjegon dhe justifikon kushtet që sollën edhe këtë humbje të rëndë të skuadrës së tij

‘Ishim shumë të disiplinuar deri në ekstrem. I plotësuam të gjitha kërkesat dhe kaluam të gjithë kontrollet-tha Loew duke iu referuar pauzës së ndeshjeve të muajit tetor dhe  masave parandaluese kundër Covid-19.

Për trajnerin Loew, futbollistët nuk ishin të sigurt që e shprehën që përpara ndeshjes me Ukrainën që Gjermania e fitoi 3-1. ‘Lojtarët tanë nuk ishin të sigurt-shtoi trajneri- pyesnin: Mund të luajmë? Duhet të luajmë? A duam të luajmë? Dhe përgjigjja ishte: Po mund të luajmë’

Por problemi më i madh u shfaq në momentin që skuadra do të udhëtonte drejt Spanjës.

‘Përpara udhëtimit futbollistët më thanë: Trajner, është zonë e rrezikut të lartë, nuk duam të shkojmë atje-tha Loew-dikush kishte të fejuarën shtatzën, dikush tjetër nënën dhe babanë të përfshirë në grupin e rrezikut. Sigurisht, që i kuptoja. Rrallëherë i kisha parë lojtarët kaq të dyzuar. Kjo zgjati deri në startin e ndeshjes në Sevilla’.

Sfidanti.al