Liverpool, shifrat e krizës; 30 pikë më pak se 1 vit më parë

Liverpooli aktual është kopja e shëmtuar e skuadrës që dominoi kampionatin anglez të sezonit të kaluar. Që nga viti 2014, për 7 sezone skuadra e The Reds nuk pësonte 3 humbje radhazi në Premier League; në atëperiudhë, Klopp drejtonte Borussia Dortmund, ndërsa trajneri i Liverpoolit ishte Brandon Rogers, tani në stolin e Leicester.

Është kjo një krizë e thellë që lindi pas dëmtimit të Van Dijk; pa mbrojtësin holandez që u operua në fund të tetorit në ligamentet e gjurit të majtë, Liverpooli është zhdukur nga skena dhe të martën nuk duhet të gabojë në ndeshjen e 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve kundër Leipzigut.

Tashmë ekuilibrat në skuadër janë prishur; në krahasim me sezonin 2019/2020, pas 24 javësh, skuadra e The Reds ka grumbulluar 30 pikë më pak dhe është në vendin e katërt në klasifikim, 13 pikë më palk se Manchester City që ndaj Tottenham regjistroi fitoren e 11 radhazi në Premier League

Van Dijk nuk ishte vetëm lideri i mbrojtjes, por edhe regjisori i parë i lojës së skuadrës së Klopp; bënte të mundur nisjen e aksioneve, ndizte manovrën, ishte njeriu i ekuilibrave. Ky i këtij sezoni është një bilanc makthi për Liverpool. Në 2019/2020 me Van Dijk, The Reds  kishin pësuar vetëm 15 gola në 24 ndeshje, ndërsa tani kanë pësuar 32 gola.

Mungesa e holandezit ka shkaktuar brishtësi e pasiguri dhe ka bërë që të humbasë vetëvlerësimin edhe një fenomen si Alisson Becker që ndaj Leicester bëri një tjetër gabim të rëndë që i kushtoi skuadrës së tij, pas amnezive që pati në sfidën me Manchester City.

Në 3 ndeshjet e fundit, Liverpooli ka pësuar 8 gola; një nga Brighton, 4 nga Manchester City dhe 3 nga Leicester. As merkatoja e janarit nuk shërbeu për të fshehur problemet e skuadrës së Klopp dhe për gjetjen e një qendërmbrojtësi që të jetë në gjendje që të kthejë sadopak soliditet në repartin e mbrojtjes. Në gafën e Alisson ndaj Leicester  ka pjesën e tij edhe mbrojtësi turk Kabak që erdhi në Anfield nga Schalke me huazim me të drejtë blerjeje. Turku nuk e kuptoi daljen aventureske të Alisson dhe e pengoi duke dhënë kontributin e tij në golin e avantazhit 2-1 të Jamie Vardy.

Tani objektivi i Klopp është të shpëtojë sezonin duke garantuar kualifikimin për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionebe dhe duke mbrojtur vendin e katërt. Por shqetësimi ekziston; Liverpool ka humbur  tashmë 6 ndeshje në Premier League dhe Van Dijk mund të kthehet vetëm në muajin gusht.

Sfidanti.al