Skena primitive në Korsikë, tifozët e Bastias sulmojnë lojtarët e Lionit!

Në një ndeshje të Ligës së 1-rë franceze, ndodhën skena si në ndeshjet e qyteteve të vogla ose të fshatrave. Kështu ndodhi edhe në Korsikë, ku tifozët e Bastias, në dy raste, hynë në fushë dhe sulmuan lojtarët e Lionit. Incidenti i parë ndodhi para fillimit të ndeshjes, kur lojtarët e Lionit që po bënin nxemje, u sulmuan fizikisht nga një grup tifozësh korsikanë. Lojtarët shpëtuan, sepse arritën që të futeshin në kohën e duhur në dhomën e tyre të zhveshjes.

Për shkak të këtij incidenti, ndeshja filloi me gati një orë vonesë. Ajo filloi dhe u luajt pjesa e parë, kurse, pastaj, u krijua e njëjta situatë, si para ndeshjes. Tifozët e Bastias hynë përsëri në fushë që të “lanin hesapet” me lojtarët e Lionit që, përsëri, shpëtuan, duke u futur me vrap në dhomën e zhveshjes dhe duke kundërshtuar që të dilnin për herë të tretë në fushë. Mediumet njoftojnë për lojtarë të lënduar të Lionit. Ndeshja nuk do të riluhet, ndërsa Bastian, tani, e pret një ndëshkim shembullor për incidentet e rëndë në fushën e lojës.

Sfidanti.al