S’fiton trofe Monako ?Ja makineria që bën para të mëdha!

Qëkur është kthyer në Ligën e 1-rë para gjashtë vitesh, klubi i Monakos vetëm nga shitja e lojtarëve ka fituar pothuajse 1 miliard euro! Liga franceze, ndoshta, nuk është aq atraktive sa Premier Liga ose Primera ose Seria A. Por, sidoqoftë, ky klub është definuar si “miniera” më e madhe e talenteve të reja dhe, kështu, liga e pestë më e mirë në Evropë, sipas ranglistës së UEFA-s, ka “eksportuesen” më të mirë të lojtarëve dhe ajo është Monako.

Ky klub i Principatës së Monakos që konkurron në kampionatin kryesor francez, në vitin 2011 preku fundin, mbasi ra në ligën e 2-të. Por, që atëkohë, Monako përjetoi një përmbysje të vërtetë, pasi u ble nga tajkuni (pasaniku) rus, Dmitrij Ribolovljov. Ky klub është bërë, si të thuash, një “fidanishte”, ku rriten lojtarë të rinj të talentuar, të cilët më vonë u shiten për shuma të mëdha klubeve më të pasur, ndërkohë që edhe vetë ky klub ka shënuar suksese shumë të mira, si për shembull titulli i kampionit të Francës para dy vitesh, para se në skenë të ngrihej PSZH-ja, dhe arritja deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve.
Sfidanti.al