Një luftë e hapur ka shpërthyer në Francë mes klubit më të madh të momentit, Paris SG, dhe gazetës më të shquar sportive, “L’Ekip”. Mjaftuan botimet e shkrimeve mbi pakënaqësitë e Kavanit ndaj minutazhit të paktë, dhe ato të planeve të PSG-së për të transferuar Nejmarin ose Mbapenë për shkak të UEFA-s, që klubi të reagonte keq.
Pse keq? Sepse, PSG i ka ndaluar gazetarëve të “L’Ekipit” (në foto) që të bëjnë pyetje në konferencat e shtypit të trajnerit apo futbollistëve të tij. Një vendim ekstrem për dy shkrime, ndoshta të pavërteta, ndoshta edhe të qëllimshme, por gjithsesi normale për realitetin francez. Nëse do të kishin pasur këtë “metër” në dorë, Reali do ta kishte sikterisur “Markën” apo “Der Shpigelin”, po ashtu si Juventusi, ndërsa Bajerni nuk do t’ia kishte hapur derën “Bildit”.
“L’Ekip” i është referuar dokumentave të “Futboll Liksit” (Football Leaks) mbi problemet financiare të parizienëve, ndërsa ka kohë që flitet se mund të sakrifikohet ndonjë nga yjet e mëdhenj. Duket se PSG i sotëm nuk është mësuar të trajtohet “pa kujdes”, veçse po bën një autogol, dhe i ka hyrë një lufte që padyshim do ta humbë. Dikur, gazeta ka pasur beteja me Bordonë e bosit Klod Bez, dhe me Olimpikun e Marsejës të Bernar Tapisë.
Sfidanti.al