Nejmari i dëmtuar? Tuheli shqetësohet më shumë për mbrojtjen!

Paris SG padyshim e vlerëson si shumë të rëndësishëm yllin brazilian . Jo më kot ai u mor për 222 milionë euro, dhe jo më kot ka shënuar shumë gola e ka shërbyer mjaft asistë. Gjithsesi, trajneri Tomas Tuhel mund të ketë më shumë shqetësime në pozicione të tjera sesa në sulm, ndërsa afrohet dueli i ashpër i të tetave të finaleve të Championsit. PSG do të ndeshet me Dortmundin dhe skuadra gjermane njihet për sulmin “eksploziv”, sidomos pas mbërritjes së Erling Halandit.

Nga ana tjetër, parizienët kanë pësuar më shumë gola se zakonisht në këtë periudhe, dhe kjo do të thotë se faza difensive nuk është aty ku duhet. Pra, Tuhel me të drejtë shqetësohet më shumë sesi të mbyllë vrimat në mbrojtje. Për më tepër, sulmi i PSG-së ka shënuar 61 gola në 16 ndeshjet e fundit, dhe në disa prej tyre ka qenë pa Nejmarin. Me Mbapenë, Ikardin e Kavanin, ofensiva nuk duket keq, ndërsa duhet gjetur një formacion që të mos jetë i ç’ekuilibruar vetëm në drejtim të portës kundërshtare. Me gjasë, mungesa e Nejmarit mund të ndreqë më shumë punë sesa mund të prishë.

Sfidanti.al