Nejmari është simboli i humbjes së pushtetit të trajnerit, thotë Venger

Ai është një “dinosaur” i futbollit, një njeri që lidh dy kohë të largëta me njëra-tjetrën. Arsen Venger sot mund të mos jetë më trajner aktiv, por padyshim është një muzeum në formë njerëzore, që bën krahasime dhe nxjerr përfundime. Një konkluzion i hidhur është humbja e pushtetit nga ana e trajnerëve, diçka që ndoshta i dëmtoi vitet e fundit të karrierës.

Venger merr si shembull Nejmarin, yllin e Paris SG, dhe thotë se lojtarë të tillë kanë shumë pushtet, ndërsa shton se trajneri sot është i detyruar që t’i bindë lojtarë të tillë për të bërë një gjë apo diçka tjetër. “Sot duhet të bindësh lojtarët, – u shpreh francezi, – fuqia ka kaluar në duart e futbollistëve. Sot ke djem si Nejmari që kanë shumë pushtet. Në vitet 60-të e 70-të kjo nuk ndodhte, ishte trajneri që kishte pushtetin”.

A mund të interpretohet kjo si rritje e lirisë dhe e demokracisë në futboll? Edhe mundet, pasi bindja është gjithnjë më mirë sesa detyrimi, por problemi sipas Vengerit është kur klubet drejtohen nga njerëz që nuk janë kompetentë për futbollin, që duan fitimet (të cilat ua japin lojtarë si Nejmari) dhe kjo minon punën e teknikut.

Sfidanti.al