Nejmar nuk kënaq dot mikun Stef Kërri, por mendon Kavani për Paris SG!

Natyrshëm, që ai nuk mund të luajë gjithnjë njësoj, dhe një “pushim” gjithnjë është i nevojshëm. Nejmarit i qëlloi në ndeshjen e tretë me fanelën e Paris SG, përballje në “Park dë Prinses” ndaj Sent Etienit tradicional. Braziliani nuk shkëlqeu dot, edhe pse në tribunë kishte ardhur miku i tij, ylli dhe kampioni i NBA-së, Stefën Kërri. Edinson Kavani shënoi dy gola, dhe kapiteni Tiago Mota një tjetër, me PSG-në që arriti fitoren e katërt në katër ndeshje. Monako ka 3 fitore në 3 ndeshje dhe luan të dielën me Marsejën, ndërsa Sent Etieni i kishte fituar tre takime dhe pësoi humbjen e parë.

Nejmar nuk është se nuk bëri gjë, pasi shërbeu asistin për penalltinë e fituar nga Kavani, të cilën vetë uruguajani e ktheu në gol. Edhe në golin e dytë, ishte goditja e dënimit e brazilianit që krijoi panik në zonën mike dhe Tiago Silva dërgoi topin në rrjetë. Gjithsesi, Kërri priste diçka më shumë nga Nejmari, pra një gol.

Sfidanti.al