Ndodh tepër rrallë, pra duhet të jesh i shkëlqyer që t’ia dalësh. Xhanluixhi Donaruma bëri diçka thuajse të pamundur për portierët, duke u shpallur Lojtari më i mirë në Euro 2020. Ai ndaloi 4 penallti në gjuajtjet e 11-metërshave në finalen ndaj Anglisë, por edhe në gjysmëfinalen kundër Spanjës. Gardiani i Italisë sfidoi sulmuesit dhe yjet e mesfushës duke u përzgjedhur si numri 1 i turneut të madh, diçka që vetëm një tjetër portier e ka bërë më parë.
Ky është Peter Shmajkel, legjenda e Danimarkës që u shpall më i miri i Kampionatit Europian në 1992 pas heroizmave që bëri në gjysmëfinalen ndaj Holandës, dhe në finalen e fituar 2-0 ndaj Gjermanisë. Donaruma është ende tepër i ri, vetëm 22 vjeç, por ndoshta do të jetë në lartësitë e patriotëve të tij si Xof e Bufon, pse jo të fitojë statusin e madhërishëm të Lev Jashinit, “Maces së zezë” së Bashkimit Sovjetik dhe Dinamos së Moskës, që fitoi Topin e Artë në 1963, i vetmi portier që ia ka dalë.
Një kënaqësi më shumë për Italinë kampione të Europës, e cila ngriti dolli për fitoren në aeroplan në kthim nga Londra drejt Romës, ndërsa të kaltrit u ngjitën në renditjen e FIFA-s, nga vendi i 20-të në të 4-in. Edhe numri 1 i Anglisë, Xhordan Pikford, nuk mbeti duarbosh. Gardiani i “tre luanëve” u vlerësua si portieri më i mirë i Europianit. Profesionisti 27-vjeçar arriti ta mbante portën e tij të paprekur në plot 5 ndeshje, kundër Kroacisë, Skocisë, Çekisë, Gjermanisë e Ukrainës, ndërsa priti dy penallti në finalen ndaj Italisë.
Sfidanti.al