Paris SG mund të ketë probleme të mëdha këtë fundjavë në ndeshjen e Ligës 1 në Francë me Nimën, por sidomos në mesjavë në Champions ndaj Man. Junajtidit. Mauro Ikardi është i dëmtuar, ashtu si edhe Bernat. Julian Draksleri dhe kapiteni Markinjos janë me lëndime dhe në dyshim, ashtu si edhe Verrati pati goditje në ndeshjen e Italisë. Po ashtu, Kerer (Kehrer) ka disa javë i dëmtuar, ndërsa Dagba ka dalë pozitiv me koronavirus ndërsa ishte me ekipin kombëtar U21. Ai do të ketë një test tjetër dhe nëse del negativ, mund të bashkohet me ekipin.
Së fundi, Danilo u kthye nga kombëtarja e Portugalisë, por PSG duhet ta testojë dhe të presë përgjigjen sepse ai ka qenë në kontakt me Kristiano Ronaldon që doli pozitiv për Kovid. Trajneri Tomas Tuhel gjykon se duhet të ruajë lojtarët kryesorë nga lodhja. “Ka mundësi që për ndeshjen e Championsit ndaj Mançester Junajtidit ne të kemi në dispozicion vetëm 11-12-13 lojtarë, – shprehet trajneri, – Mbape dhe Nejmar luajtën nga 90 minuta me kombëtaret e tyre, plus udhëtimet e lojtarëve nga Amerika e Jugut. Duhet të kemi kujdes me ta”.
Sfidanti.al