Komiteti Ekzekutiv i federatës evropiane të futbollit, UEFA, në mbledhjen që zhvilloi ditët e fundit në Bratislava, para kongresit të saj, mori vendim që çdo ekipi pjesëmarrës në Evropianin 2020 t’i jepen 9,25 milionë euro vetëm për pjesëmarrjen në konkurrimin më të rëndësishëm kontinental.
Në fakt, kjo është një shumë mjaft e madhe, praktikisht, për shembull, gati sa buxheti vjetor i Federatës së Futbollit të Maqedonisë që, në fakt, vitin e kaluar shpenzoi afro 10 milionë euro. Në këto kushte, ekipi përfaqësus i Maqedonisë ka shumë shanse që ta fitojë këtë shumë, duke pasur parasysh se ai bën pjesë në një grup mjaft të lehtë (D) në Ligën e re të Kombeve me Armeninë, Lihtenshtainin dhe Gjibraltarin. Pra, duhet që Maqedonia të zëjë vendin e parë në grup dhe, më pas, të luajë në play off që do të zhvillohet në mars 2020, pak kohë para Evropianit të vitit 2020.
Plani i shpëndarjes së shpërblimeve financiare, veç 9.25 milionë eurove për çdo ekip pjesëmarrës në Euro-2020, ku do të marrin pjesë 24 ekipe, parashikon, gjithashtu, 1,5 milion euro për çdo fitore dhe 700 000 euro për barazimin. Për kualifikimin në 1/8-tën e finaleve do të jepen edhe dy milionë euro të tjera, në çerekfinale – edhe 3,25 milionë euro, në gjysmëfinale – 5 milionë euro të tjera, ndërsa ekipi kampion i Evropës do të fitojë edhe 10 milionë euro suplementare, ndërkohë që ekpi që do të humbasë në finalen e madhe në “Uembli” të Londrës do të marrë 7 milionë euro.
Sfidanti.al