Robert Lewandowski, sulmuesi 37-vjeçar i Barcelona, ka folur për të ardhmen dhe fundin e karrierës së tij në një intervistë për podcastin High Performance. Kontrata e polakut përfundon në fund të sezonit 2025/26, dhe ai nuk ka ende klub për sezonin e ardhshëm, por nuk ka ndërmend të ndalojë menjëherë futbollin. “Nuk kam frikë nga fundi i karrierës, po filloj ta përgatit veten për atë moment dhe për atë që do të bëj pas futbollit,” tha Lewandowski. Ai shtoi se futbolli është një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, por jo gjithçka: “E di që jam afër fundit, një, dy, tre… ndoshta katër vite. Nuk e di, por nuk ndihem i presionuar. Nëse një ditë do të ndiej se trupi nuk përgjigjet më, do të jem gati të tërhiqem.”
Sulmuesi gjithashtu foli për rolin e tij te Barcelona, ku klubi i kërkoi të jetë i ashpër me lojtarët më të rinj: “Te Bayern ishim lojtarë më të përvojë, më të ashpër. Te Barcelona pashë shumë lojtarë të rinj që duhej të ishin më të ashpër me veten. Klubi tha se kishte nevojë për dikë si unë, që t’i mësonte se të jesh në nivel të lartë nuk është çështje një ose dy javësh. Është e rëndësishme të shkohet në palestër dhe të punohet çdo ditë.”
Ky proces i mësimit kishte dy drejtime: “Fillova t’i njoh dhe të mësoj nga ata. Kuptova që disa nuk e pëlqenin këtë qasje, por ata e kuptojnë futbollin shumë mirë. Kur ishim në moshën e tyre, nuk e kuptonim futbollin në të njëjtën mënyrë.” Lewandowski gjithashtu komentoi diferencën e moshës: “Jam më i moshuar se lojtarët, madje edhe më i madh se babai i Lamine, për shembull. Thashë me vete: ‘Duhet të mësoj edhe nga ata.’” Lewandowski duket i qetë dhe i përgatitur për fundin e karrierës, ndërsa fokusohet te roli i tij si mentor për të rinjtë e Barcelonës.

