Wayne Rooney e nis vitin e ri si i pa punë. Legjenda e Mançester Junajtid u shkarkua nga detyra e trajnerit tek skuadra Plymouth, në Championshipin anglez. Viti 2025 për Wayne Rooney nuk nis aspak mirë. Legjenda e Manchester United mbetet pa punë në këtë vit të ri, duke u shkarkuar nga detyra e trajnerit te skuadra e Championship-it anglez, Plymouth Argyle FC. Pas një karriere fenomenale si lojtar, 39-vjeçari nuk po mund ta gjejë lumturinë në postin e trajnerit, ndërsa po shkon nga dështimi në dështim. Humbja e së dielës ndaj Oxfordit në kampionat me rezultatin 2-0 ishte e 13-ta për Plymouth këtë sezon dhe drejtuesit e klubit vendosën të falënderojnë Rooney-n për bashkëpunimin, duke mbyllur përfundimisht marrëveshjen mes palëve. Zyrtarisht u ra dakord për një ndërprerje reciproke të kontratës, por duket qartë se drejtuesit e ekipit që renditet në vend të fundit në tabelën e Championship-it ishin ata që vendosën të ndahen me legjendën e futbollit anglez. Sipas njoftimit të vetë klubit anglez në rrjetet sociale, së bashku me Rooney-n janë larguar edhe ndihmës-trajneri Mike Phelan dhe trajneri i ekipit të parë Simon Ireland. Rooney e filloi karrierën e tij si trajner në vitin 2020 ndërsa ishte ende lojtar i Derby County. Në sezonin e parë arriti të qëndronte në Championship, por në të dytin ra në nivelin e tretë të futbollit anglez dhe dha dorëheqjen. Në korrik të vitit 2022, ai u bë trajner i DC United në MLS dhe pas vetëm një viti u shkarkua. Në tetor 2023, ai u bë trajner i Birmingham City, dhe më 2 janar u shkarkua pas vetëm dy fitoreve në 15 ndeshje, pas së cilës mori drejtimin e Plymouth.
sfidanti.al