Dani Olmo dhe Pau Víctor nuk janë më të regjistruar nga La Liga si lojtarë të Barcelonës. Një situatë e pazakontë dhe befasuese që ka filluar në vitin 2024 dhe ka vazhduar edhe në 2025. Situata është shumë e ndërlikuar, por klubi katalanas shpreson ende të regjistrojë sërish dy lojtarët dhe ka kërkuar një licencë të re nga Federata Spanjolle e Futbollit. Përgjigjja pritet më 3 janar 2025, por ka shumë konfuzion rreth asaj që po ndodh në Barcelonë në këto orë. Presidenti Joan Laporta dhe drejtuesit e klubit janë optimistë për një përmbysje të situatës. Ata llogarisin se, deri para fundjavës, do të kenë mbledhur fondet e nevojshme nga shitja e disa vendeve VIP në stadiumin e ardhshëm Spotify Camp Nou, çka do t’i ndihmojë të përmbushin kufizimet e pagave dhe të regjistrojnë sërish lojtarët. Të dy lojtarët kishin regjistrimin e garantuar deri më 31 dhjetor, dhe klubi duhej t’i regjistronte sërish deri më 1 janar 2025. Nëse deri më 3 janar La Liga konfirmon vendimin e marrë në fund të 2024-s, Dani Olmo dhe Pau Víctor nuk do të jenë më pjesë e Barcelonës në muajt në vijim. Nëse nuk regjistrohen, të dy lojtarët do të jenë të lirë të firmosin me një klub tjetër gjatë merkatos dimërore të janarit. Në orët e fundit të 31 dhjetorit 2024, La Liga komunikoi se Barcelona nuk kishte rregulluar statusin e regjistrimeve të Dani Olmo dhe Pau Víctor. Klubi ka kërkuar një licencë të re nga Federata, dhe përgjigjja pritet më 3 janar. Federata dhe La Liga kanë treguar pak fleksibilitet për këtë çështje, dhe nuk dihet se si do të përfundojë kjo histori në këto pak orë të mbetura. Gjithçka ka filluar verën e kaluar, kur Dani Olmo u ble nga Leipzig dhe Pau Víctor nga Girona, por nuk mund të regjistroheshin për shkak se pagat e tyre tejkalonin kufijtë e përcaktuar nga La Liga. Me ndihmën e një klauzole speciale pas dëmtimit të gjatë të Andreas Christensen (e cila lejon shtimin e përkohshëm të 80% të pagës së një lojtari të dëmtuar në masën totale të pagave), Barça arriti t’i regjistronte të dy lojtarët deri në javën e tretë të kampionatit, por vetëm deri më 31 dhjetor. Në tre muajt e ardhshëm, Barcelona duhej të gjente fondet për të zgjatur regjistrimin e lojtarëve deri më 30 qershor, por kjo nuk ndodhi. Barcelona ka disa vite që përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Megjithatë, Joan Laporta, në momentin e zgjedhjes si president, premtoi se do të ringjallte klubin financiarisht dhe sportivisht. Ai ndërmori hapa si shitja e 10% të të drejtave televizive të ndeshjeve të La Liga-s deri në vitin 2047 për 207.5 milionë euro te fondi Sixth Street, çka solli përmirësime të përkohshme në bilanc. Por marrëveshje si ajo për Barça Vision, që pritej të sillte 40 milionë euro, nuk u finalizuan kurrë. Klubi ishte në bisedime me Nike për një rinovim të rëndësishëm të kontratës së sponsorizimit, por kjo marrëveshje nuk garantoi mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e La Liga-s. Fillimi i mirë i sezonit nga skuadra e Julian Nagelsmann është lënë në hije nga çështja Olmo-Víctor, që është bërë tema kryesore e diskutimeve mes tifozëve të Barcelonës.
sfidanti.al