Yjet e shefat tek Barça edhe mund të bien dakord; ndodhi për rrogat!

Kohët e fundit ka qenë emblematik fakti se në “Kamp Nou” më shumë kishte grindje sesa harmoni, por gjithsesi mund të ndodhë edhe ndryshe. Futbollistët e Barcelonës dhe drejtuesit e tyre e paskan lënë tani në kohë koronavirusi për t’u marrë vesh, dhe duket se ka emërues të përbashkët kur vjen puna te rrogat. Mediat spanjolle, e sidomos ato katalanase, raportojnë se presidenti Zhozep Bartomeu ka arritur një lloj akordi në parim me disa nga lojtarët kryesorë. Ai është takuar me Mesin, Pikenë e disa të tjerë, duke u shpjeguar se me sezonin të ndërprerë, dhe që mund të mos përfundojë normalisht, do të ishte e pamundur të realizoheshin të ardhurat për të paguar rrogat plotësisht. Po ashtu, Barça vërtet arriti kuotën e 1 miliardë eurove të të ardhurave vjetore, por kjo do të ketë vlerë vetëm nëse mblidhen 100 milionë euro nga transferimi i lojtarëve.

Sfidanti.al