Nuk do të jetë si në Mesjetë kur shpërtheu e tmerrshmja “Murtajë e Zezë”, që fshiu gjysmën e popullsisë. Përtej panikut të madh, Europa është shumë më e përgatitur për të përballuar koronavirusin, veçse epidemija do të ndikojë madje shumë. Me Serinë A që po dorëzohet, dhe që fillimisht po heq dorë nga tifozët, ja ku kemi edhe dyshimet për Championsin. Në Spanjë, më e shqetësuar është Valencia, me autoritetet e krahinës që po “peshojnë” nëse mund të luhet ndaj Atalantës ndeshja e kthimit apo jo. “Bergamo është në Lombardi, – thotë Vanakloça, zv. drejtoresha e Epidemiologjisë dhe Vigjilencës mbi shëndetin në Gjeneralitetin Valencian, – sinqerisht, nuk e dimë nëse mund të vijnë për të luajtur këtu”. Autoritetet fillimisht morën masa për të kontrolluar 2 377 tifozët e Valencias që ishin në “San Siro” për ndeshjen e parë që Atalanta e fitoi 4-1. Natyrisht, ka ende kohë pasi dueli i kthimit luhet në 10 mars, por siç duken “bathët”, me koronavirusin do të kemi punë për një periudhë të gjatë.
Sfidanti.al