Shpërthejnë polemikat për sistemin VAR të përdorur në ndeshjen mes Vajadolidit dhe Realit të Madridit, e vlefshme për javën e 27 të Ligës Spanjolle. Në pjesën e parë të kësaj ndeshjeje të zhvilluar në stadiumin Hoze Zorrilla ndodhi gjithcka; 2 gola të anuluar, 1 penallti e gabuar dhe 2 gola të tjerë të rregullt, por ato që diskutohen më shumë janë imazhet e transmetuara nga televizioni spanjoll pas golit të anuluar të Serxhi Guardiolës në minutën e 14 për pozicion jashtë loje me sallën e sistemit VAR që ishte e gjitha bosh.
Imazhet bënë xhiron e botës në internet dhe shumë tifozë anti Real Madrid filluan të flasin me forcë për një skandal sidomos duke marrë parasysh edhe faktin se Vajadolidit iu anulua një tjetër gol pak minuta më vonë pas të parit, edhe në këtë rast u kërkua ndihma e VAR. Një situatë kjo nga e cila me të drejtë lind pyetja: A ishte dikush në sallë që të shqyrtonte imazhet e të merrte vendimet e duhura?.
Dhe përgjigjja erdhi, pasi drejtuesit e La Ligës reaguan menjëherë duke shpjeguar se arbitrat e sistemit VAR ishin në vendin e tyre dhe se e gjithë kjo ishte një gabim i regjisë.
sfidanti.al