Diego Simeone është tërbuar pas barazimit 1:1 në “Camp Nou”, që solli dhe eliminimin e skuadrës së tij nga Kupa e Mbretit. Në fund të ndeshjes, El Cholo nuk është përmbajtur dot duke sulmuar drejtpërdrejtë gjyqtarët e sfidës por edhe skuadrën blaugrana në konferencën për shtyp.
“Gjyqtarët mund të gabojnë, por gabimet e tyre do të mbahen mend, tashmë e kuptoj se përse kemi më shumë gjasa në Champions League për të fituar se në La Liga dhe në Kupën e Mbretit”, theksoi trajneri argjentinas.
Deklarata të forta këto të Simeones, të cilit nuk i ka pëlqyer aspak mënyra se si arbitri Manzano ka gjykuar ndeshjen e kthimit ndaj Barcelonës. Irritimi i i 46-vjeçarit ka të bëjë me një episod të minutës së 59-të, kur sulmuesit francez Grizman iu anulua një gol për një pozicion jashtë loje inekzistent.