Ndoshta nuk ka përse të mendojë për të gjetur një skuadër tjetër. Filip Kutinjo mund të mos jetë ai “fatkeqi” që mbetet me valixhen gati në dorë, sepse mund të përzihet nga skuadra e radhës. Yllit brazilian, aq të shkëlqyer tek Liverpuli saqë Barcelona ia pagoi kartonin 160 milionë euro, mund t’i vijë në ndihmë pikërisht trajneri i Barçës, Kike Setien. Nëse me Valverden nuk ia doli, me Setienin edhe mund të ketë sukses.
“Unë e pëlqej Kutinjon, ai është një lojtar i madh, – është shprehur Setieni, – por, unë kam ndërmend t’i ndryshoj rolin. Për të, është më mirë të luajë në qendër sesa në krahë”. Kutinjo ka numrin 8, pra Setieni mund t’i japë një rol të vërtetë organizimi në mesfushë, tipik për numrin 8. Tek Liverpuli e tek Barcelona e Valverdes ai ka luajtur më shumë në krahun e majtë, duke tentuar drejt qendrës për të përdorur të djathtën e tij. Lojtari ofensiv 27-vjeçar është i huazuar tek Bajerni dhe po luan mirë, por bavarezët nuk pritet të paguajnë 90 milionë euro për të.
Sfidanti.al