Sa telashe Valverde: Sevilja, dy herë Reali, Suarezi, Arturi, Mesi!

“Litari po mblidhet” edhe për një ekip të madh si Barcelona. Mediat po shkruajnë se skuadra katalanase po kalon një krizë të zakonshme për të, në muajin shkurt apo mars, gjë që mund t’i kushtojë, sidomos në Champions. Gjithsesi, për momentin, duhet menduar për La Ligën dhe për Kupën e Mbretit, pra për Seviljen dhe pastaj për Realin e Madridit. Trajneri Ernesto Valverde është me shumë përvojë dhe di të jetë i qetë, edhe para presionit më të madh.

“Ndaj Seviljes do të jetë shumë e ashpër, shumë e vështirë, pasi në fushën e vet Sevilja është e frikshme, – ishin fjalët e tij para ndeshjes së sotme të kampionatit, – precedentë është që humbëm në atë fushë (në Kupë). Ndeshja ka shumë rëndësi për ne, dhe për renditjen, edhe pse nuk do të vendoset asgjë që tani”.

Valverde ka besim të plotë tek Luis Suarezi, pavarësisht nga kritikat. “Nuk mund të hiqet dorë nga Suarezi pasi na ndihmon të krijojmë raste, – tha trajneri, – pushoi javën që kaloi, tani është i shlodhur. Mesi? Më duket shumë në formë, besoj edhe kundërshtarët kështu mendojnë”.

Pas Seviljes vijnë dy El Klasiko radhazi, që të dy në Madrid. Fillimisht, në 27 shkurt, pra të mërkurën, në “Bernabeu” për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit (1-1 takimi i parë), dhe në 2 mars, të shtunën, në La Liga. “E dimë se çdo të thonë dy El Klasiko radhazi, por fillimisht le të mendojmë për Seviljen”, – ishte përgjigja e Ernesto Valverdes.

Sfidanti.al