Nuk ka ndërmend të ndalet. Rej Manaj po zhvillon sezonin e tij më të mirë në karrierë, ndërsa shënoi një tjetër gol për Barcelonën B. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shënoi golin përcaktues në ndeshjen ndaj Vijarrealit B në kategorinë e tretë spanjolle, duke qenë protagonist në fitimin e penalltisë, të cilën e ekzekutoi saktë po vetë në minutat e fundit. Ky ishte goli i dytë i Manajt në fazën e plej ofit duke ndihmuar Barcelonën B që të jetë në krye të renditjes, dhe favorite për t’u ngjitur në La Liga Segunda, aty ku shqiptari ka luajtur më parë me ekipe të tjera.
Në total, ai ka shënuar 10 gola këtë sezon për ekipin e dytë katalanas, duke tërhequr edhe vëmendjen e trajnerit të parë të Barcelonës, Ronald Kuman, që ka ardhur për ta vëzhguar në stadium. Në moshën 24-vjeçare, Rej Manaj pa dyshim që ka arritur nivelin e pjekurisë që pritej prej tij, dhe po realizon potencialin që kishte që kur u formua si futbollist në ekipet zinxhir të Interit të Milanos. Nuk dihet nëse sezonin e ardhshëm ai do të vazhdojë me katalanasit, apo do të kalojë në ndonjë skuadër tjetër, ndërsa ka zgjuar interesimin e klubeve të ndryshëm në Spanjë apo në Itali.
Sfidanti.al