Florentino Perez nuk u përmbajt dot pa i dhënë një “ndukje” Naser Al Helaifit, duke thënë se presidentit të Paris SG “i duhet kujtuar se kush është Reali i Madridit”. Gjithsesi, Asambleja e ortakëve, pra e aksionerëve të klubit më të madh të futbollit në botë, nuk ishte mbledhur për të shigjetuar PSG-në dhe Al Helaifin, por për t’u marrë me “hallet e shtëpisë”. Mediat spanjolle shkruajnë se ortakët miratuan një buxhet vjetor që parashikohet të jetë 769 milionë euro për këtë sezon. Edicionin e kaluar, përtej krizës së Kovidit, Reali doli pozitiv me 13 milionë euro, ndonëse humbjet arrinin në 400 milionë euro në krahasim me kohët e mira. Jo vetëm kaq, por klubi ka në bankë një llogari me 425 milionë euro që mund t’i përdorë sipas dëshirës.
Sfidanti.al