Lajmi i madh nga Grizman: Nuk shkoj tek Barcelona

Kompanitë e basteve me siguri i kishin dhënë koeficientin 1.2 kalimit të tij në “Kamp Nou”, por duket se do të duhet ta heqin këtë “bast” nga skedinat, për të mos humbur miliona. Antuan Grizman mesa duket nuk do të ndërrojë fanelë, dhe do të mbetet tek Atletiko. Arsye kryesore duken qoftë vlerësimi i madh që sulmuesi i Francës ka në klub, qoftë marrëdhënia e veçantë me trajnerin Simeone, por edhe shpresa se me Atletikon mund të fitohen trofe, siç ndodhi me Ligën e Europës.

Me shumë gjasë, Grizman do të përfitojë rritje të ndjeshme rroge në “Uanda Metropolitana”, ndërsa Barça nuk do të jetë në gjendje të përfitojë nga pagesa e klauzolës prej 100 milionë eurosh. Në “Kamp Nou”, ndoshta, francezi do ta kishte më të vështirë të zinte vend, duke pasur parasysh konkurrencën e Suarezit, Dembelesë si dhe vetë Mesit. Pritet që Grizman të njoftojë për të ardhmen që përpara nisjes së Kupës së Botës.

Sfidanti.al