Ksavi me një letër emocionuese për të panjohurin Serhio Busketsin

Ndeshja mes Izraelit dhe Spanjës në Jerusalem që u fitua nga kjo e fundit me rezultatin minimal 1-0, nuk kishte asnjë rëndësi, duke patur parasysh se spanjollët e kishin siguruar, tanimë, kualifikimin për në Botërorin e vitit tjetër në Rusi, por, sidoqoftë, ajo pati rëndësi dhe ishte e veçantë për një futbollist të “furisë së kuqe” që, atë mbrëmje, hyri në klubin 100. Serhio Busketsi luajti ndeshjen e tij jubilare të 100-të me bluzën e përfaqësueses së Spanjës, një fakt që tregon se ky futbollist i Barcelonës luan mirë në mënyrë konstante dhe, me këtë rast, ish-futbollisti i shquar i Barcelonës dhe i përfaqësueses spanjolle Ksavi Ernandez i ka dërguar atij një letër mjaft emocionuese:

“Kur Guardiola e solli atë për herë të parë që të stërvitej me neve, unë, menjëherë, pasi pashë, e kuptova se bëhej fjalë për një futbollist special. Nuk duhet të jesh ndonjë vizionar i madh që të kuptosh se ai është një nga mesfushorët më inteligjentë, ai e kuptonte dhe e aplikonte në praktikë atë që mësonte në stërvitje. Evolucioni i tij ishte brutal, diçka e pazakontë. Qysh 21 vjeç, ai u bë kampion bote! Busketsi është një lojtar që e bën më të mirë çdo bashkëlojtar të vetin. Pikërisht, ai më bëri edhe mua lojtar më të mirë. Ndoshta, në opinionin publik, ai nuk vlerësohet aq sa duhet, ndoshta, edhe nënvlerësohet, por të gjithë ata që kanë luajtur me Busketsin, e dinë se ai është një futbollist i veçantë, është unik në llojin e tij.

Del Boske, në një rast, ka thënë se ai do të donte që të rimishërohej dhe të bëhej si ai! Ishte një privilegj i madh të luaje pranë tij dhe, kur e shihja se ai nuk ishte në formacionin e parë, krahas meje, thosha me vete: ‘E marrtë djalli, sot do të kemi probleme”, vë në dukje Ksavi në letrën që ai ia dërgon ish-bashkëlojtarit të tij te Barcelona përmes gazetës spanjolle “Marka”.

Sfidanti.al